Site icon Telegrafi

Kidnapimi i policëve nga forcat serbe, Abdixhiku: Kosova nuk e meriton një ditë të tillë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat policore serbe brenda territorit të shtetit tonë.

Abdixhiku tha se “të tre policët e rrëmbyer i presim në shtëpi. Ky është borxhi ynë si Republikë përballë agresionit luftënxitës të Serbisë. Lirimi i tyre i menjëhershëm është domosdoshmëri”.

“Për këtë lirim, bashkërendimi e përafrimi me aleatë është i paalternativë. Prandaj, sot, bie dhe perdja e naiviteti popullist që këtë bashkërendim e shihte si dobësi. Dobësi e vetme është thirrja e vonuar për ndihmë, pasi je poshtëruar”.

Më tej Abdixhiku ka thënë se “Kosova nuk e meriton një ditë të tillë”.

Lexo po ashtu Tre policë brenda territorit të Kosovës kidnapohen nga forcat Kobra të Serbisë

“Sot, kërkojmë përgjegjësi politike institucionale nga Kryeministri dhe vartësi i tij. Ushtrimi i sovranitetit të vërtetë kërkon mençuri”,  ka shkruar Abdixhiku.

Në një konferencë për media, Baki Kelani nga Policia e Kosovës, e quajti këtë veprim si “kidnapim klasik” nga forcat e njësive speciale serbe.

Ai tha se Serbia edhe në të kaluar ka rrëmbyer policë të Kosovës, sikurse më 2011, kur sipas tij u rrëmbyen dy zyrtarë policorë kosovarë.

“Policia e Kosovës është e brengosur dhe e dënon kidnapimin klasik. Sigurojmë qytetarët tanë që Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim të lartë që të kryejë detyrat e saj kushtetuese dhe ligjore”, tha Kelani.

Ai akuzoi Serbinë se po përdorë rrëmbimet e zyrtarëve policorë për të destabilizuar veriun dhe “për të mbrojtur kriminelët”. /Telegrafi/

Exit mobile version