Telegrafi

Khodorkovsky: Me inkursionin në Kursk, Kievi synon t’i tregojë Perëndimit se “vijat e kuqe s’ekzistojnë”

Inkursioni befasues që ushtria ukrainase e nisi rreth tri javë më parë në rajonin perëndimor Kursk të Rusisë, mbetet një “element i rëndësishëm i luftës”, thotë figura e rëndësishme opozitare ruse, Mikhail Khodorkovsky, në një intervistë për Current Time.

Operacioni në territorin rus, pas luftimeve vetëm në Ukrainë prej vitesh, ia ka ngritur moralin Ukrainës dhe ia ka dhënë një goditje mbështetjes së brendshme të presidentit rus, Vladimir Putin, tha Khodorkovsky në margjinat e konferencës ndërkombëtare të sigurisë, Globsec, në Pragë, më 1 shtator.

“Ndihma që shteti [rus] po ua jep njerëzve të cilët i ka zënë lufta, nuk është e duhura”, tha Khodorkovsky, duke shtuar se shumica e shoqërisë ruse nuk e sheh inkursionin si operacion ushtarak, por më shumë si një lloj “fatkeqësie natyrore”.

“Dhjetë mijë rublat e Putinit [110 dollarë] janë fyerje për njerëzit. Dhe kështu e sheh edhe populli këtë ndihmë”, tha ai.

Ky reagim e bën edhe më të madh rrezikun politik për Qeverinë ruse për të bërë thirrje për një mobilizim të ri të trupave për luftën kundër Ukrainës, argumentoi Khodorkovsky.

“Shndërrimi i luftës në përpjekje kombëtare është një vendim që [Putini] ka drojë ta marrë”.

Qeveria e Putinit i ka përdorur mediat për ta parandaluar fillimin e “lodhjes nga lufta”, duke e bindur publikun e gjerë se “nuk ka luftë”.

“Sapo ai ta krijojë ndjesinë se ka luftë, koha do të fillojë të mbarojë”, tha Khodorkovsky, duke shtuar se “ne thjesht nuk e dimë se sa kohë ka mbetur, duke qenë se operacioni special ushtarak po zhvillohet tash e një kohë”.

Për Ukrainën, inkursioni është pjesë e përpjekjeve të Kievit për t’i bindur partnerët e vet perëndimorë se nuk ka kuptim vendosja e “vijave të kuqe” në lidhje me ofensivat kundër Rusisë.

“Është e qartë se burokracitë në të gjitha vendet – posaçërisht Shtetet e Bashkuara – janë shumë frikacake”, argumentoi Khodorkovsky.

“Ata duhet ta dëshmojnë se vijat e kuqe nuk ekzistojnë, apo të paktën ato nuk ndodhen këtu. Ky hap ka zemëruar shumë burokracitë [perëndimore], edhe pse ato nuk e kanë shfaqur këtë ende. U pëlqeu apo jo, atyre u është dëshmuar se vijat e kuqe nuk janë aty ku këto burokraci parafytyrojnë se janë. Kjo e bën [inkursionin] shumë të rëndësishëm”, tha ai.

Khodorkovsky, 61 vjeç, ka qenë njëri prej burrave më të pasur të Rusisë.

Ai u arrestua më 2003, gjoja për akuzat për mashtrim, për të cilat mbështetësit e tij thonë se u sajuan për ta ndëshkuar atë për shkak të veprimtarisë së tij politike dhe për ta lehtësuar marrjen e aseteve të bizneseve të tij nga figurat e afërta me Putinin.

Më 2005, ai u dënua me nëntë vjet burgim. Megjithatë, Putini e fali atë në dhjetor 2013 dhe e dëboi nga vendi.

Prej atëherë, Khodorkovsky, me bazë në Londër, i ka financuar një numër iniciativash opozitare ruse. Në maj 2022, Qeveria e Rusisë e shpalli atë “agjent të huaj”.

Në prill 2023, Khodorkovsky ishte në mesin e një grupi të madh opozitarësh së rëndësishëm rusë në mërgim, që e nënshkruan Deklaratën e Forcave Demokratike të Rusisë, e cila e shpalli Qeverinë e Putinit “të jashtëligjshme dhe kriminale” dhe kërkoi që trupat ruse të tërhiqen nga “të gjitha territoret e okupuara” në Ukrainë. /REL/