Site icon Telegrafi

Khan Younis në Gaza tani është i rrethuar, thotë ushtria izraelite

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë thënë se trupat e tyre kanë rrethuar Khan Younis në Gazën jugore.

Një ofensivë e madhe ushtarake izraelite që po zhvillohet në perëndim të qytetit pritet të zgjasë disa ditë të tjera, ka thënë një burim i njohur me këtë çështje për CNN të hënën, përcjell Telegrafi.

Burimi ka theksuar se trupat izraelite kishin rrethuar kampin e refugjatëve Khan Younis dhe po kryejnë bastisje në përpjekje për të “çmontuar” aftësitë ushtarake të Hamasit në zonë.

Lexo po ashtu Izraeli thuhet se ka bërë një “propozim të jashtëzakonshëm” për liderët e Hamasit

Në një deklaratë të martën, IDF tha se “dhjetëra terroristë” ishin vrarë në 24 orët e fundit nga trupat e saj tokësore në koordinim me forcat ajrore të Izraelit.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë e kontrolluar nga Hamasi në enklavë tha të martën se 195 njerëz ishin vrarë dhe 354 u plagosën në Gaza gjatë 24 orëve të fundit.

Ajo tha se “një numër viktimash janë ende nën rrënoja dhe në rrugë dhe ambulanca dhe ekuipazhet e mbrojtjes civile nuk mund t’i arrijnë ata”.

Lexo po ashtu Netanyahu thotë se vdekja e 21 ushtarëve "një nga ditët më të vështira" të luftës

Ndërkohë Dr. Ashraf al-Qidra, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, akuzoi IDF-në për kryerjen e masakrave në perëndim të Khan Younis dhe pengimin e lëvizjes së ambulancave.

Luftimet intensive janë raportuar në zonë në ditët e fundit ndërsa operacionet tokësore izraelite shtrihen më në jug në enklavë.

Në një postim në X, zëdhënësi arab i IDF-së paralajmëroi civilët në pjesë të Khan Younis perëndimore që të evakuoheshin drejt bregut. /Telegrafi/

Exit mobile version