Një referendum të ri për BREXIT-in! Kryetari i Londrës, Sadiq Khan ka kërkuar një votim të ri, duke kritikuar mënyrën sesi qeveria po adreson negociatat me Bashkimin Evropian.
Politikani laburist tha se, me Britaninë e Madhe që brenda gjashtë muajsh duhet të largohet nga Bashkimi Evropian, rreziku që kanoset tani është ai i një marrëveshjeje të keqe apo të asnjë marrëveshjeje.
“Debati aktual është përqëndruar më shumë tek ambiciet politike të Boris Johnsonit, sesa tek ajo që është e mirë për Britaninë e Madhe”, tha Khan.
Kryeministrja Theresa May ka thënë se një votim i dytë do të ishte tradhti për demokracinë. Ndërkohë, Khan, ish-deputet i zonës Tooting, tha se edhe pse kishte bërë fushatë për qëndrim në Bashkimin Evropian, ai e ka pranuar vullnetin e britanikëve për të dalë nga unioni.
Ai shtoi se nuk e kishte menduar që do të mbështeste thirrjet për një referendum të dytë, por se është shqetësuar gjithnjë e më shumë për ecurinë kaotike të negociatave, që duket se janë zhytur në konfuzion dhe bllokim.
Me kohën për negociata që po mbaron, Khan thotë se Britania e Madhe ka mbetur përpara dy mundësive shumë të rrezikshme. /Telegrafi/