Telegrafi

Khamenei i Iranit thotë se plani amerikan i Lindjes së Mesme ‘do të vdesë para presidentit Trump’

Udhëheqësi Suprem, Ayatollah Khamenei, ka kritikuar liderët arabë të cilët treguan mbështetje për planin e presidentit amerikan Donald Trump, mbi Izraelin dhe Palestinën.

Lideri Suprem i Iranit, ka thënë se ky plan do të vdiste përpara se presidenti amerikan të vdiste vetë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Ky plan me siguri nuk do të funksionojë dhe do të vdes para Trumpit”, tha Khamenei në fjalimin e tij që u transmetua në televizionin shtetëror.

“Amerikanët negociuan me sionistët për diçka që nuk u përket atyre”, ka shtuar ai.

Ndërkohë presidenti Trump kishte shpalosur këtë plan muajin e kaluar, megjithëse propozimi u bë pa kontributin e palestinezëve, të cilët kishin ndërprerë lidhjet me administratën Trump, pasi ky i fundit kishte njoftuar njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të pandarë të Izraelit.

Khamenei gjithashtu ka thënë se Irani do të mbështesë grupet e armatosura palestineze aq sa mundet dhe u bëri thirrje palestinezëve të përballen me planin e presidentit Trump.

“Ne besojmë se organizatat e armatosura palestineze do të qëndrojnë dhe do të durojnë rezistencën dhe Republika Islamike e ka për detyrë të mbështesë grupet palestineze”, tha Ayatollah Ali Khamenei në një fjalim.

“Pra, do t’i mbështesë ata në çdo mënyrë sepse kjo përkrahje është dëshira e sistemit islamik dhe kombit iranian”, tha ai. /Telegrafi/