Telegrafi

KFOR-i mirëpret reduktimin e forcave policore rreth ndërtesave komunale në veri

Misioni paqeruajtës në Kosovë, KFOR-i, mirëpret vendimin e institucioneve në Kosovë për të reduktuar praninë e Policisë së Kosovës rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës.

Në komunikatën e KFOR-it, thuhet se vendimi i marrë në një takim teknik të mbajtur nga Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, është një hap i rëndësishëm drejt de-përshkallëzimit të tensioneve dhe promovimit të dialogut.

“Në këtë drejtim, KFOR-i pajtohet se ka pasur një përmirësim në situatën e sigurisë në zonë, por a është e rëndësishme të sqarohet se pikëpamja jonë nuk është rezultat i një aktiviteti të përbashkët vlerësimi”, thuhet në komunikatën e KFOR-it, transmeton Telegrafi.

Sipas KFOR-it, një vlerësim i përbashkët, në fakt, është një procedurë e ndryshme që kërkon veprime specifike, disponueshmëri të të dhënave dhe vlerësime sistematike në të cilat roli i KFOR-it, siç është rënë dakord ndërmjet NATO-s dhe BE-së, duhet të konsiderohet vetëm si i përshtatshëm dhe t’i nënshtrohet miratimit të Komandant i KFOR-it.

“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO-ja mbështet plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me të gjithë bashkëbiseduesit vendorë dhe ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatë.

Lexo po ashtu Dakordimi në Bratisllavë – nis largimi i policisë për 25 për qind në dhe përreth objekteve komunale në veri

Në dhe përreth objekteve komunale në katër komunat veriore sot është zvogëluar numrin i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani konfirmoi për Telegrafin tërheqjen e pjesëtarëve policorë në 25 për qind

“Konfirmoj se është bërë tërheqja në 25 për qind e pjesëtarëve të policisë së Kosovës në objektet dhe përreth objekteve komunale”, tha Elshani.

Ndryshe, më 10 korrik, Kosova dhe BE-ja kanë arritur pajtim për hapat e parë drejt shtensionimit të situatës në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ku ndër pikat e dakordimit ishte edhe zvogëlimi në 25 për qind i prezencës policore në veri. /Telegrafi/