Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka prezantuar propozimin për sanksionet ekonomike e financiare të cilat u miratuan nga Qeveria e Kosovës kundër Rusisë, pas invazionit në Ukrainë.
Këto sanksione përfshijnë ngrirje të aseteve bankare e masa tjera financiare e po ashtu sanksione për individ e akterët politik të përfshirë në marrjen e vendimit për invazionin rus në Ukrainë.
Sanksionet konsistojnë në: ngrirje të aseteve në Republikën e Kosovës të individëve apo entiteteve të sanksionuara, ndalim udhëtimi në territorin e Republikës së Kosovës për individët e sanksionuar, ndalim për individë dhe entitete në Republikën e Kosovës, që të vënë në dispozicion fonde, qoftë në mënyrë direkte ose indirekte, për individët dhe entitetet e sanksionuara.
Sipas Gërvallës, këto sanksione janë propozuar nga MPJD, pasi janë të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri më tani, ndaj Rusisë dhe individëve të përfshirë në vendimin për invazion. /Telegrafi/