Sot mbahen zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut ku qytetarët duhet të vendosin mes shtatë kandidatëve për të parin e shteti. Këto zgjedhje janë të rregullta dhe mbahen pas pesë viteve, pra nga viti 2019, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) ka përgatitur edhe një udhëzim për të qenë sa më korrekt procesi i votimit. Në mesin e rregullave qartësohet edhe forma e votimit por edhe sjellja e personelit zgjedhor e votuesve në vendvotim. Në vijim janë rregullat e parashtruara nga KSHZ.
-Votimi bëhet personalisht në vendvotimet në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në PDK/KP.
-Këshilli Zgjedhor i pyet në mënyrë të detyrueshme votuesit për çfarë lloj zgjedhjeje duan të votojnë ose nëse duan të votojnë për të dyja zgjedhjet, u shpjegon mënyrën e votimit dhe u mundëson votën.
-Votuesi mund të paraqitet në qendrën e votimit vetëm një herë për të ushtruar të drejtën e tij të votimit.
-Votuesi dorëzon dokumentin për identifikim personal – letërnjoftim ose dokument udhëtimi të vlefshëm, përkatësisht për Zgjedhjet Presidenciale 2024, letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në periudhën nga 24 korrik 2023 deri më 24 prill 2024, dhe për zgjedhjet parlamentare letërnjoftim ose dokument udhëtimi të cilit i ka skaduar vlefshmëria në periudhën nga 8 gusht 2023 deri më 8 maj 2024.
-Votuesi vendos gjurmën e gishtit tregues të dorës së djathtë në pajisjen biometrike të identifikimit dhe nëse votuesi nuk ka gishtin tregues të djathtë, merret shenja e gishtit tregues të dorës së majtë, ose në rast se votuesit i mungojnë këta dy gishta, merret gjurmë e gishtit të rradhës të dorës së djathtë.
-Nëse votuesi nuk ka dy duar, votuesi futet në pajisjen teknike duke kërkuar numrin e tij unik të identifikimit (NUI).
-Nëse PIBV nuk mund të gjejë përputhjen e gjurmës së gishtit me gjurmën e gishtit të votuesit në listën elektronike të votuesve, votuesi futet në PIBV duke lexuar dokumentin personal në skanerin MRZ ose duke futur numrin unik të identifikimit (NUI) dhe atëherë votuesi lë gjurmën e gishtit në PIBV.
-Pas konfirmimit të identitetit, votuesi vendos nënshkrimin e tij në ekstraktin përkatës nga Lista zgjedhore për llojin e zgjedhjes për të cilën ka vendosur të votojë.
-Fleta e votimit shkëputet nga kalliri sipas rendit numerik, duhet të vuloset në pjesën e përparme në vendin e caktuar për vulë dhe më pas t’i jepet votuesit.
-Votuesi merr fletën e votimit për zgjedhjet për të cilat ka vendosur të votojë dhe ka nënshkruar ekstraktin përkatës nga Lista zgjedhore.
-Votuesi voton i vetëm, fshehurazi pas një ekrani votimi.
-Votuesi voton duke rrethuar numrin rendor përpara titullit/emrit në listë me stilolaps me ngjyrë të kaltërt.
-Votuesi vendos fletën e votimit të palosur në kutinë e votimit.
-Votuesi merr dokumentin personal të identifikimit.
-Votuesi që ka aftësi të kufizuara fizike ose është analfabet dhe për rrjedhojë nuk mund të votojë në mënyrën e përcaktuar në Kodin Zgjedhor, ka të drejtë të sjellë me vete një person që do ta ndihmojë gjatë votimit. Nëse ai/ajo nuk sjell me vete një person që do ta ndihmojë gjatë votimit, atëherë Këshilli zgjedhor do të caktojë një person tjetër nga radhët e votuesve. Personi nuk duhet të ndikojë në vendimin e votuesit.
-Ndalohet votimi familjar dhe në grup, si dhe votimi për një person tjetër.
-Ndalohet fotografimi i fletës së votimit me celular ose aparat fotografik.
-Në qendrën e votimit ndalohet mbajtja e armëve.
Përndryshe, të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale që mbahen sot kanë gjithsej 1.814.317 votues. /Telegrafi/