Telegrafi

Këto janë pesë klubet e Ligës Premier që akuzohen për abuzime me të mitur

Skandali i abuzimeve seksuale me të mitur në futbollin britanik ka përfshirë edhe pesë klube londineze të Ligës Premier.

Bëhet fjalë për Arsenal, Chelsea, Crystal Palace, Tottenham dhe West Ham, të cilat iu bashkohen tri klubeve nga Championship, divizioni i  dytë i kampionatit anglez.

Policia britanike ka bërë të ditur se ka marrë 225 denoncime për abuzime nga 77 klube të ndryshme, 66 nga të cilat janë në nivelin amatorial. Në fillim të këtij muaji, policia bëri të ditur se u identifikuan 184 raste të dyshimta të abuzimeve me të mitur me 526 viktima, duke shtuar se edhe disiplina të tjera sportive janë të përfshira në këtë skandal.

Autoritetet britanike i nisën hetimet në lidhje me këtë skandal, pas deklaratave të Woodward në muajin nëntor të vitit të kaluar, kur pranoi se kur ishte ende në moshë të mitur u bë viktimë e abuzimeve nga trajneri i skuadrës së të rinjve Berry Bennell, i cili më pas u dënua për pedofili.

Denoncimet e tij kanë të bëjnë më abuzimet që janë kryer në vitet 80, kur Woodward ishte pjesë e skuadrës së Crewe Alexandra.

Ish-mbrojtësi me deklaratën e tij nxiti dhe ish-futbollistë të tjerë që të flisnin hapur për këto abuzime, gjë që rezultoi thelbësore për hetimet.