Site icon Telegrafi

Këtë vit 250 raste të reja me kancer të gjirit, pandemia ndikoi edhe në aspektin psikologjik

Pandemia COVID-19 ka ndikuar në thuajse të gjitha aspektet e jetës, përfshirë këtu edhe aspektin psikologjik të personave të cilët kanë pasur edhe sëmundje tjera shoqëruese, siç janë personat që vuajnë nga kanceri i gjirit.

Asnjë pacient i prekur me kancer të gjirit që ka qenë i infektuar me virusin COVID-19 nuk ka përfunduar me fatalitet në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, i cili tha se deri në shtator 2020, janë lajmëruar rreth 250 raste të reja me kancer të gjirit të stadeve të ndryshëm.

“Klinika e Onkologjisë është i vetmi institucion publik ku bëhet mjekimi onkologjik me ilaçe dhe rreze. Klinika e Onkologjisë ka shumë vite që mjekon të gjitha format e kancerit të gjirit me protokole të standardizuar të mjekimit onkologjik, dhe ka kapacitet të plotë për trajtimin e këtyre të sëmurëve”, tha Kurtishi.

Kurtishi tha se me aq sa kanë informata, asnjë pacientë i prekur nga kanceri dhe i infektuar me COVID-19 nuk ka përfunduar me fatalitet.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Dr. Ilir Kurtishi

“Sa ne kemi informata gati asnjë pacientë që ka qenë i prekur me kancer e që ka qenë në mjekim me kemioterapi ose rrezatim, ose edhe që ka qenë në ndjekje e që ka qenë i infektuar me virusin COVID-19 nuk ka përfunduar me fatalitet”, u shpreh Kurtishi.

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, Arben Bislimi tha se COVID-19 ka ndikuar edhe të pacientët e prekur nga kanceri i gjirit, ndërkaq shtoi se në rrezik më të madh nga coronavirusi mund të jenë ata pacientë të cilët janë në tretman kimio dhe me rreze.

“Pandemia me COVID-19 ka pas ndikim në të gjitha sferat e jetës kurse te sëmurët malinje që janë me imunitet me të komprometuar kanë pas ndoshta një impakt diçka më të ndjeshëm. Këtu luan rol edhe aspekti psikologjik i karantinimit dhe vështirësia e lëvizjes në atë periudhë që ka mund të ndikojë në mbarëvajtjen e menaxhimit të sëmundjes. Më shumë mund të llogariten me rrisk të shtuar nga infeksioni me COVID-19, pacientët që janë nën tretman me kimio dhe rreze kurse ata që janë në folloë up(ndjekje) futen në kategorinë me rriskë me të ulët”, tha Bislimi.

Bislimi tha se edhe në mbarë botën, por edhe në Kosovë është vërejtur një rritje e numrit të rasteve me kancer të gjirit.

“Viteve të fundit është vërejtur një rritje e numrit në mënyrë periodike kryesisht për shkak të rritjes referimit nga ana e klinikës sonë. Por, një trend i rritjes se incidences për sëmundje malinje është në mbarë botën. Dallimin nga viti i kaluar në klinikën tonë është i vogël ose thënë më mirë i përafërt”, u shpreh ai.

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, Arben Bislimi tha për Telegrafin se këtë vit për shkak të pandemisë kjo shoqatë aktivitetet e saj për muajin e ndërgjegjësimit për kancer të gjirit ka qenë e detyruar t’i bëj vetëm përmes rrjeteve sociale.

Kryetari i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, Dr. Arben Bislimi

“Muaji tetor, muaj i ndërgjegjësimit për kancer gjiri ose muaji Roze, shënohet me aktivitete senzibilizuese në mbarë globin. SHOK çdo vit planifikon aktivitete të shumta të formateve të ndryshme. Sivjet për shkak pandemisë jemi detyruar të plotësojmë planin me shumë virtual përmes rrjeteve sociale dhe kontakteve me media, duke përcjellë mesazhin për këtë sëmundje”, tha Bislimi.

Mesazhi i onkologut, Arben Bislimi për të gjithë personat që vërejnë ndonjë ndryshim në gji është që të lajmërohen mënjëherë te mjeku.

“Parandalimi i vetëm është zbulimi i hershëm. Lajmërohuni te mjeku për çdo ndryshim në gji. Zbulimi hershëm-shpëton jetë”, porositi Bislimi.

Edhe në vendet e tjera të botës, pandemia COVID-19 ka ndikuar tek të prekurit me kancer të gjirit, por edhe tek personat që presin diagnostikim.

Pothuajse një milion gra në Mbretërinë e Bashkuar kanë humbur kontrollin jetësor të gjirit për shkak të coronavirusit.

Lexo po ashtu Kanceri i gjirit: Një milion gra në Mbretërinë e Bashkuar mund të kenë humbur kontrollet

Programet e kontrollit të gjirit u ndërprenë në mars, ndërsa shërbimi shëndetësor kombëtar përqendroi burimet në trajtimin e pandemisë.

“Breast Cancer Now” vlerëson se një total prej 986,000 gra në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar humbën mamografinë e tyre për shkak të COVID-19.

Kanceri i gjirit i diagnostikuar në një fazë të mëvonshme mund të jetë më i vështirë për tu trajtuar.

Duke marrë parasysh se zbulimi i hershëm i sëmundjes mund të shpëtojë jetë, Telegrafi vjen me një kampanjë vetëdijësuese që i këshillon femrat të bëjnë kontrolle më të shpeshta në mënyrë që ta detektojnë sëmundjen në kohë dhe ta shpëtojnë jetën e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version