Site icon Telegrafi

Këta janë zyrtarët që po hetohen bashkë me Adem Grabovcin (Foto)

Arbenita Pajaziti, Ilhami Gashi, Besim Beqaj, Njazi Kryeziu, Zenun Pajaziti, Fatmir Shurdhaj dhe Sedat Gashi, janë zyrtarët e lartë të vendit të cilët kanë hyrë në rrethin e hetimeve të Prokurorisë, rreth aferës së përgjimeve “Pronto 2”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, sot ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimit në rastin e aferës së përgjimeve, i cili fillimisht është iniciuar kundër të pandehurit Adem Grabovci, deputet dhe ish-kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

Përmes një komunikate për media, Prokuroria Speciale njofton se hetimet janë zgjeruar edhe kundër shtatë zyrtarëve të tjerë, përfshirë edhe kryetarin e grupit parlamentarë të PDK-së në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë KosovaPress merr vesh se emrat e të shtatë zyrtarëve të cilët i bashkohen Grabovcit në rastin e përgjimeve, janë:

Arbenita Pajaziti, ish-shefe e Njësisë për furnizim në Departamentin e farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ilhami Gashi, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Besim Beqaj, ish-ministër në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik.

Njazi Kryeziu, ish-Kryesues i Kuvendit në Komunën e Prizrenit.

Zenun Pajaziti, kryetar i Grupit Parlamentarë të PDK-së.

Fatmir Shurdhaj, ish-zëvendës ministër në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sedat Gashi, ish-këshilltar politik në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Exit mobile version