Site icon Telegrafi

Kështu duket marrëveshja Maqedoni-Bullgari (Dokument)

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, gjatë një konference për shtyp sot publikoi marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, e cila pritet të nënshkruhet më 1 gusht nga kryeministrat e të dy vendeve.

Zaevi gjatë konferencës për shtyp tha se marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë është në pajtim me interesat kombëtare të Maqedonisë.

“Ky hap i madh, përgjigjet ndaj interesave të popujve të Maqedonisë dhe Bullgarisë, dhe paraqet shpirtin e ri të gjeneratës së re politike, që i pajton qytetarët e nuk i ndanë”, tha mes tjerash Zaevi.

Qeveria përmes një kumtese për mediat ka publikuar marrëveshjen e plotë, e cila siç shihet përmban pika të rëndësishme për bashkëpunim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë në fusha të ndryshme.

Kjo marrëveshje përmban 14 pika, e cila detyron dy vendet nënshkruese të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme siç janë: ekonomia, integrimet euroatlantike, turzimi, transporti dhe lidhjet, kulturë, arsim, shëndetësi, sport dhe të tjera.

Në nenin e tetë të kësaj marrëveshje në paragrafin e dytë thuhet se në afat prej tre muajve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, dy vendet nënshkruese do të formojnë Komisione të ekspertëve multidisiplinar për çështje të historisë dhe arsimi. Ky komision do të përgatit raport njëvjeçar dhe do ta prezantojë para dy qeverive.

Neni i 11 i kësaj marrëveshje thotë se asnjëra nga palët nënshkruese të kësaj marrëveshje, nuk do të ndërmerr aktivitete kundër palës tjetër, që kanë karakter armiqësor.

Kjo marrëveshje mund të ndryshohet me iniciativë të dy vendeve në rrugë diplomatike. Marrëveshjen e plotë në gjuhën maqedonase mund ta lexoni në dokumentet më poshtë./Telegrafi/

 

Exit mobile version