Mbrëmë janë arrestuar 33 persona të dyshuar, në mesin e tyre 10 zyrtarë policorë pas një aksioni policor në fshatin Karaçevë të Komunës së Kamenicës, në rajonin e Prishtinës, si dhe lokacione të tjera të vendit.
Prokuroria Themelore në Gjilan, Inspektorati Policor dhe Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka sqaruar se operacioni ka filluar si rezultat i një hetimi gati njëvjeçar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Gjilan, lidhur me pretendimet për veprimtari të paligjshme, përfshirë bixhozin e paligjshëm, trafikimin me njerëz, trafikimin me armë, trafikimin me narkotikë, kontrabandimin e mallrave dhe aktivitete tjera kriminale.
Sipas komunikatës, zyrtarët policor brenda afatit ligjor do të paraqiten para gjyqtarit të procedurës paraprake, ndërsa, gjatë aksionit janë sekuestruar aparate të lojërave të fatit, rreth 120 gjedhe, si dhe gjësende të ndryshme si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.
Ndërkohë, kazinotë janë rrënuar dhe po ua sjellim nëpërmjet fotografive.
KosovaPress kishte shkruar në vitin 2019, se në zonën neutrale në mes Kosovës e Serbisë, në fshatin Karaçevë të Kamenicës, vepronin shtatë kazino në mënyrë ilegale.
Banorët nuk ndiheshin të sigurtë, pasi thonin se këtu përdoret droga dhe të gjitha mallrat ilegale hynë në vendin tonë nga ato kazino.