Kamionët e parë me ndihma humanitare për Rripin e Gazës kaluan përmes kalimit të vetëm kufitar midis Egjiptit dhe enklavës palestineze, sipas pamjeve të televizionit egjiptian.
Njëzet kamionë me pajisje mjekësore do të hyjnë në Rripin e Gazës, raporton kanali televiziv egjiptian al-Qahera, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Këto janë dërgesat e para përmes pikës kufitare Rafah që nga koha kur lufta shpërtheu dy javë më parë midis Izraelit dhe Hamasit, grupit islamik që sundon Rripin e Gazës.
Një zyrtar palestinez kufitar ka konfirmuar se kalimi kufitar Rafah është hapur mëngjesin e sotëm, siç kishte thënë ambasada amerikane në Jerusalem.
Por grupi militant palestinez Hamas ka thënë se ngarkesat e kamionëve me ndihma “nuk do të ndryshojnë kushtet katastrofike mjekësore në Gaza”.
Egyptian Trucks 🇪🇬 with humanitarian aid, including medicines, food and water have begun to pass through the Egyptian 🇪🇬 checkpoint in Rafah into GAZA pic.twitter.com/aytu4OcX5i
— أحمدصالحAhmd Saleh (@iahmedsalih) October 21, 2023
Ndryshe, spitalet në Gaza janë “në prag të kolapsit”, ka paralajmëruar Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), duke thënë se numri i pacientëve të trajtuar ose që presin të trajtohen është në 150% të kapacitetit të spitaleve, dhe njerëzit janë të shtrirë në dysheme dhe korridore.
Situata e ujit në Gaza gjithashtu mbetet e rëndë. Fabrika e fundit funksionale e “shkripëzimit” u mbyll të dielën e kaluar për shkak të mungesës së karburantit, ashtu si edhe impianti i fundit i trajtimit të ujërave të zeza, njoftoi OKB.
Veç kësaj, siguria ushqimore është e paqëndrueshme. /Telegrafi/