Sipas një këshilltari presidencial ukrainas, sulmet e rënda ruse në qytetet e Ukrainës lindore, Bakhmut dhe Soledar, “po na japin ndjenjën e dëshpërimit”.
Oleksiy Arestovych po fliste gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të “Feygin Live”, një kanal pro-ukrainas, raporton cnn.
Ndërsa luftimet po vazhdojnë në zonë, forcat ukrainase po përjetojnë humbje të rënda trupash, tha Arestovych.
Por, ai deklaroi se “armiku po humbet më shumë, sigurisht, por ne kemi humbje të rënda. Është një luftë shumë serioze”.
Bakhmut është bërë ndoshta beteja kryesore në vijën e frontit dhe skena e disa prej luftimeve më të ashpra mes ukrainasve dhe rusëve.
Rajoni i madh i Donetskut, ku ndodhen Bakhmut dhe Soledar, është kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga viti 2014 dhe është një nga katër rajonet ukrainase që Moska i konsideron si territor rus duke shkelur ligjin ndërkombëtar. /Telegrafi/