Këshilltari i kryeministrit Avdullah Hoti, Visar Berisha thotë se mini-Schengeni nuk është proces i dëmshëm për Kosovën nëse nuk cenohet sovraniteti i Kosovës.
Berisha në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se mini-Schengeni është produkt i Procesit të Berlinit të filluar nga Merkel por që sipas tij deri më tani është manipuluar me të nga disa liderë të shteteve rajonale.
“Ne kemi marrë garanci mbi vërejtjet tona se me mini-Schengen nuk do të shkelet sovraniteti i Kosovës, përkundrazi do të kemi ekuivalencë me shtetet tjera. Ne do të jemi të barabartë me të tjerët”, deklaroi Berisha, përcjell Telegrafi.
Berisha thotë se opinioni duhet ta vlerësoj pozicionin që ka mbajtur sot në Bruksel pala e Kosovës.
“Serbia e tha vet se sot Kosova ka refuzuar të bisedojë për Asociacionin. Kjo duhet vlerësuar”, shtoi Berisha.
Këshilltari tjetër i Kryeministrit, Xhavit Beqiri thotë se ideja e një mini-Schengeni ballkanik ishte edhe në kohën kur president në Shqipëri ishte Bamir Topi e në Kosovë, Fatmir Sejdiu.
“Në atë kohë ishte pritur shumë mirë si iniciativë nga presidentët Maqedonisë dhe Malit të Zi, por ishte refuzuar kategorikisht nga Serbia dhe Bosnja”, tha Beqiri./Telegrafi/