Këshilltari presidencial Oleksiy Arestovych i ka dorëzuar dorëheqjen Volodmyr Zelenskyt këtë mëngjes.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, dorëheqja e tij vjen pasi ai kishte bërë komente të diskutueshme pasi një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh në Dnipro, duke vrarë të paktën 41 persona.
Arestovych fillimisht tha se sistemi ukrainas i mbrojtjes kundërajrore kishte rrëzuar raketën ruse Kh-22.
Këto komente “u kapën shpejt” nga propagandistët rusë, të cilët pretenduan se ndërtesa ishte goditur nga një raketë mbrojtëse ukrainase.
Ish-këshilltari presidencial më vonë konfirmoi se Ukraina nuk kishte aftësinë për të rrëzuar llojin e raketës së lëshuar nga Rusia.
Duke njoftuar dorëheqjen e tij në Facebook, Arestovych tha: “U kërkoj ndjesë të sinqertë viktimave dhe të afërmve të tyre, banorëve të Dnipros dhe të gjithë atyre që u lënduan thellë nga versioni im i gabuar i parakohshëm i arsyes së raketës ruse që goditi një ndërtesë banimi”.
Dnipro, një qytet me pothuajse një milion banorë, i cili shërben si një qendër furnizimi thelbësore për forcat ukrainase në rajonin lindor të Donbasit, është nën bombardime të vazhdueshme nga raketat ruse. /Telegrafi/