Telegrafi

Këshilltari i Kryeministrit: Taksa nuk do të hiqet për t’u bërë pazar për kufijtë (Video)

Këshilltari i kryeministrit Haradinaj, Erolld Belegu ka thënë se Bashkimi Evropian e ka humbur çdo kredibilitet për ndërmjetësim në dialgun Kosovë – Serbi.

Belegu, në emisionin “Përballje” me gazetarin Muhamet Hajrullahu në RTV Dukagjini, ka thënë se është për t’u çuditur se populli e bizneset janë kundër heqjes së taksës e politikanët mbështesin heqjen e taksës.

“Lojërat me taksën se unë jam më mik më Amerikën sesa ti, janë shumë qesharake”, tha Belegu, përcjell Telegrafi.

Këshilltari i Kryeministrit ka thënë se pas vendosjes së taksës, është e dukshme se shumë kompani vendore kanë rritur shitjet dhe kanë shtuar numrin e të punësuarve.

“Kompania ‘Liri’ ka punësuar 40 punëtorë, dhe ka ngritje shumë të madhe në shitjen e produktit të saj ‘Sempre’. Kemi vizituar edhe kompaninë ‘Vipa’ dhe na kanë thënë se kanë ngritje të shitjeve prej 35% të produkteve të saj. Natyrisht bizneset kanë ende në stoqe produkte serbe”, tha ai, përcjell Tlegrafi.

Belegu ka thënë se deri më tani nuk ka ndonjë element që Serbia po i plotëson kushtet për largimin e taksës nga ana e Kosovës.

“Nëse dëshiron dikush që taksa të hiqet për t’u bërë pazare me kufijtë, ajo nuk do të hiqet. Taksa është për parandalimin e pazareve me Serbinë. Sepse tash po shihet, pas këtyre dokumenteve që po rrjedhin po të mos ishte taksa ndoshta ky muhabet do të kishte mbaruar. Ky insistim aq i madh se marrëveshja ka qenë gati dhe taksa e ka ndalë këtë marrëveshje, duket se ka pasur diçka. Edhe pse zyrtarisht askush nuk është deklaruar se ka pasur marrëveshje”, tha ndër të tjera Eroll Belegu./Telegrafi/