Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e cilëson Këshillin Prokurorial të Kosovës si grupacion kriminal dhe ordiner.
Hasani përzgjedhjen e Blerim Isufajt si kryeprokuror të shtetit nga KPK-ja e konsideron si përzgjedhje jashtë çdo norme kushtetuese, ligjore dhe etike.
“Për këtë grup njerëzish, në vitin 2015, i kam thënë gjërat që sot po i thonë ambasadat e huaja, pasi është në pyetje një grupacion, i cili supozohet ta mbrojë ligjin, por, në fakt, është kundër ligjit dhe është duke vepruar në kundërshtim me çdo normë kushtetuese, ligjore dhe etike. Është pikërisht ky grupacion që unë në vazhdimësi e kam cilësuar si grupacion kriminal”, ka thënë Hasani për Klan Kosova.
“Veprimtaria e tyre është thirrur në transparencë dhe në publik e kanë bërë gjoja një paraqitje transparente të përzgjedhjes së kandidatëve, ndërkohë që ajo paraqitje shihet qartë që as rregullat e brendshme, të cilat vetë i kanë votuar, nuk i respektojnë. Këtu bëhet fjalë për cenim të çdo norme juridike”, thotë Hasani.
Mes tjerash, Hasani konsideron se pati shkelje të shumta në përzgjedhjen e Isufajt.
“Shkeljet janë të ndryshme, fillimisht e kemi parë mënyrën se si i drejtohen atij që ia dhanë votën me 98 për qind, që është absurde dhe cenohet rregullorja e brendshme”, tha ai.
Këshilli Prokurorial i Kosovës të mërkurën e ka votuar në mënyrë unanime Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.
Lidhur me këtë votim të KPK-së, janë shprehur të pakënaqur shefi i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier si dhe OJQ-të në Kosovë.
Shefi i BE-së në Kosovë u shpreh i zhgënjyer dhe i habitur për procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit.
Ai përmes një reagimi tha se BE-ja në vazhdimësi ka thirrur për një proces të drejtë dhe meritor, e që sipas tij KPK i ka shpërfillur këto parime.
Ambasadori gjerman Jorn Rohde tha se ky proces është vërtetë zhgënjyes dhe jo rruga përpara e Kosovës.
“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga përpara e Kosovës sidomos kur OJQ-të e njohura si Instituti i Kosovës për Drejtësi e GLPS kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shrkoi në Tëitter ambasadori Rohde.
Pas kësaj ka ardhur reagimi edhe nga ambasadori amerikan, Jeff Hoevenier duke thënë se fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK, si institucion publik”, tha ai.
Lidhur me këto reagime, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në një përgjigje me shkrim për Telegrafin ka thënë se procesi ishte plotësisht legjitim, dhe se ka zhvilluar të gjitha procedurat e parapara dhe në përfundim ka propozuar për emërim në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, Blerim Isufaj, procedura këto që sipas KPK-së janë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Të mërkurën tri organizata të shoqërisë civile i kanë kërkuar presidentes të mos e dekretojë Isufajn për kryeprokuror të vendit.
Konkursi për emërimin e Kryeprokurorit të ri të Shtetit ishte shpallur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 12 janar 2022, kjo pasi Aleksandër Lumezit, i cili aktualisht ushtron këtë pozitë, i përfundon mandati më 21 prill 2022. /Telegrafi/