Telegrafi

Këshilli i Sigurimit dënoi njohjen e Lartësive Golan si territor izraelit

Shtetet e Bashkuara u izoluan të mërkurën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në lidhje me vendimin e presidentit Donald Trump për t’ia njohur Izraelit sovranitetin e Lartësive Golan, pasi vendet e tjera dolën kundër një lëvizjeje të tillë.

Në letrën ku kërkohej mbledhja e këshillit, Siria e përshkroi vendimin e ShBA-së “si një shkelje flagrante” e rezolutave të OKB-së.

Izraeli i pushtoi Lartësitë Golan nga Siria në vitin 1967 gjatë luftës së Lindjes së Mesme dhe më pas i aneksoi në vitin 1981 një veprim i shpallur asokohe “i pavlefshëm dhe pa efekt juridik ndërkombëtar” nga të 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit.

Ambasadorja britanike Karen Pierce i tha Këshillit se veprimi i ShBA-se bie ndesh me rezolutën e vitit 1981, ndërsa zv./ambasadori rus në OKB Vladimir Safronkov tha se Uashingtoni ka shkelur rezolutat e Kombeve të Bashkuara dhe paralajmëroi se kjo lëvizje do të nxitë paqëndrueshmëri në Lindjen e Mesme.

Anëtarët europianë të Këshillit, Franca, Britania, Gjermania, Belgjika dhe Polonia gjithashtu u shprehën të shqetësuar për pasojat që do të sjellë një veprim i tillë.

Presidenti Trump nënshkroi të hënën një urdhër ekzekutiv që i njeh si territor izraelit Lartësitë Golan, një veprim që sipas Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo do të ndihmonte në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.