Telegrafi

Këshilli kombëtar konfirmon hetimet për dy ndeshjet e Superligës

Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimim e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive ka konfirmuar se ndeshjet Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina po hetohen pas dyshimeve për kurdisje.

Fundi i ndeshjeve ishte shumë i dyshimtë me Trepçën ’89 që riktheu rezultatin 2-1 ndaj Prishtinës duke shënuar dy gola të shpejtë. Ndërkohë në anën tjetër Ferizaj realizoi një gol pas reagimi të ngathët të portierit të Dukagjinit në sfidën që vendasit e fituan 2-1 ndaj klinasve.

Lexo po ashtu Goli i shumëpërfolur i Ferizajt ndaj Dukagjinit që ia siguroi barazhin

“Këshilli për Sport me vëmendje të shtuar e ka përcjellë zhvillimin e ndeshjeve të xhiros së fundit të Kampionatit të Kosovës në Futboll, duke përfshirë edhe reagimet e shumta të opinionit sportiv në relacion me dyshimet për kurdisjen eventuale të rezultatit të dy ndeshjeve të Superligës së futbollit”, thuhet në një njoftim të Këshillit për Sport.

Këtë organ e drejton Besim Kelmendi që po ashtu është ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit.

Lexo po ashtu Goli tjetër i përfolur në rrjetet sociale: Trepça '89 po ashtu shënoi në kohën shtesë ndaj Prishtinës

“Këshilli për Sport e njofton opinionin publik se çështjet në fjalë i ka trajtuar me urgjencë, dhe dyshimet për kurdisje të rezultatit në dy ndeshjet e sipërshënuara të futbollit janë adresuar menjëherë tek prokuroritë kompetente për verifikimet dhe hetimet e nevojshme”, thuhet tutje në njoftim.  /Telegrafi/