Bashkimi Evropian edhe njëherë i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejmë të situatës.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka thënë se tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ në tërë rajonin.
“Prioriteti kryesor tani është depërshkallëzimi i situatës në teren. Ditët e fundit kemi parë rrezikun e një përshkallëzim më të madh të situatës, gjë që është duke i vënë në rrezik përpjekjet shumë vjeçare dhe të arriturat deri më tash. Kjo mund të ketë pasoja jo vetëm në Kosovë e Serbi por në gjithë rajonin. U bëjëm thirrje të dyja palëve që jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të gjejnë zgjidhje evropiane” tha Stano.
Lidhur me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Stano tha se Kosova e ka për obligim ta bëjë një gjë të tillë.
“Është obligim i qartë për Kosovën që menjëherë të krijojë ose të ndërmarrë hapa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky është obligim ligjor i detyrueshëm i Kosovës dhe mospërmbushja e vazhdueshme jo vetëm që cenon parimin e sundimit të ligjit, por dëmton edhe reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës”, tha Stano në konferencën për media.
Ai shtoi se për këtë çështje, Borrel gjatë fundjavës ka diskutuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“BE-ja dëshiron t’i afrojë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhjeje evropiane, t’i ulin tensionet dhe që sa më shpejt të përfshihen në dialog, sepse kjo është e vetmja rrugëdalje nga eskalimi momental. Kjo është rruga që çon deri te perspektiva evropiane për të dy partnerët”, ka theksuar ai. /Telegrafi/