Site icon Telegrafi

BE kërkon nga Meta dhe TikTok hollësi për luftim të dezinformatave rreth luftës Izrael-Hamas

Bashkimi Evropian ka kërkuar të enjten nga Meta dhe TikTok që të ofrojnë informacione se si janë duke e luftuar dezinformimin për luftën Izrael-Hamas.

BE-ja e ka bërë këtë kërkesë duke u bazuar në ligjin e ri, i cili rrezikon t’i përballë gjigantët teknologjikë me gjoba në vlerë të miliarda eurove, nëse dështojnë që t’i mbrojnë përdoruesit.

Komisioni Evropian, dega ekzekutive e bllokut, ka kërkuar zyrtarisht që këto dy rrjete sociale t’i prezantojnë rregullat me të cilat do t’i pastrojnë platformat nga lajmet e rreme.

Si kyçe për luftim janë përmendur përmbajtjet me terrorizëm, dhunë dhe gjuhë të urrejtjes.

Sipas ligjit të ri, nëse këto kompani dështojnë që të veprojnë sipas rregullores, gjobiten me deri në 6 për qind të të të hyrave vjetore.

Brukseli e ka bërë një kërkesë të ngjashme javën e kaluar edhe ndaj platformës së Elon Muskut, X- e njohur deri më tani si Twitter.

Komisionari evropian, Thierry Breton, ka thënë se tri platformave, plus YouTube-it, u janë dërguar letra paralajmëruese, duke i vënë në pah rreziqet që u kanosen nga lufta.

Meta, e cila e ka në pronësi Facebook-un dhe Instagram-in, ka thënë se “e ka një sistem të mirëkrijuar për identifikim dhe zbehje të rreziqeve gjatë krizave, duke e mbrojtur lirinë e shprehjes”.

TikTok nuk ka reaguar ende lidhur me këtë kërkesë.

Lufta Izrael-Hamas ka nisur më 7 tetor, pasi militantët e Hamasit e kanë sulmuar tokën izraelite dhe Izraeli është zotuar se do ta shkatërrojë grupin militant.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 3.785 njerëz janë vrarë dhe mbi 12.500 janë plagosur.

Nga sulmet e Hamasit në tokën izraelite, më 7 tetor, janë vrarë më shumë se 1.400 njerëz.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka thënë që Hamasi besohet se i ka marrë 206 pengje në sulmet që i ka kryer në Izrael dhe dyshohet se i ka dërguar në Gazë. /REL/

Exit mobile version