Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, zhvilloi këtë të martë një konferencë për media, ku u ndal tek kërkesa e Prokurorisë së Posaçme SPAK drejtuar Kuvendit për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj tij, nga “Detyrim paraqitje” në “Arrest me burg/shtëpie”.
Berisha tha se nëse kërkesa për masë arresti do të vijë në Kuvend, ai do të votojë pro saj.
Ish-kryeministri u shpreh se nuk e respektoi vendimin e gjykatës, për masën “Detyrim paraqitje”, pasi ishte antikushetues dhe nuk u zbatua imuniteti.
“Unë e votoj që nesër. Kan gabuar rëndë ata që kanë kujtuar që nuk do të paraqitem. Në këtë rast ne kishim të bënim shkruarjen e neneve të Kushtreteutës, këtë unë s’mund ta pranoja se ishte një akt puçist që kishte të bënte me marrjen e pushtetit të gjykatës nga Edi Rama, nga prokurorë të papërgjegjshëm. Do respektoj çfarëdo vendimi pas autorizimit të parlamentit. Ky është qëndrimi im i përsëritur. Ka të bëjë me kushtetueshmërinë e vendit, nuk mund të bëhesha një njeri që zbatonte një vendim anti-kushtetues. Nuk ndodhte kurrë kjo për Sali Berishën. Tani parlamenti të vendosë si të dojë. Po e vendosi parlamenti unë do ta zbatoj”, tha Berisha. /Telegrafi/