Ish kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka thënë se Kosova ka vepruar drejt që ka kërkuar anëtarësimin në Aleancën Veriatlantike (NATO), pas agresionit që Rusia është duke ushtruar ndaj Ukrainës.
Majko në emisionin “Përballje”, gjithashtu ka thënë së lëvizjet e Qeverisë së Kosovës kanë qenë shumë të mira, ku edhe ka vendosur sanksione ndaj shtetit rus.
Ai ka pohuar se tani Evropa mund ta shikojë se kush janë përkrahësit e saj në rajon.
“Evropa do të shikojë se kush janë përkrahësit e saj në rajon dhe kush janë nxitës të stabilitetit, pa dyshim shqiptarët ku do që ndodhën janë faktor properëndimor, por edhe janë edhe faktor që prodhojnë stabilitet”, ka potencuar ai.
Ish kryeministri shqiptar ka shtuar tutje se, pranimi i Kosovës në NATO tashmë është veç formale, pasi që Kosova mbrohet nga forcat e NATO-s.
“Pa dyshim, Kosova duhet të mendoj sa i përket bashkëpunimit edhe programit të sigurimit, dhe mendoj që në bashkëpunim me partnerët ne duhet të rivlerësojmë politikat tona të mbrojtjes në funksion te sigurisë rajonale. Kosova megjithëse nuk është anëtare e NATO-s, ajo është nën mbrojtjen e NATO-s, ka prezencën e NATO-s, dhe mendoj se nga pikëpamja formale mbetet vetëm pranimi”, tha ndër tjera ai.
Sipas Majkos, do të ketë lëvizje pozitive sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Ish kryeministri gjatë intervistës ka thënë se politika ruse e cila është e kopjuar nga Beogradi, ka qenë të ngrihet statusi ndërkombëtar i fqinjëve dhe të pengohet anëtarësimi në organizata të huaja.
Ndërsa, sa i përket bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, Majko tha se koordinimi për çështjet e sigurisë është i nevojshëm.
“Shefat e shtabeve të ushtrisë shqiptare dhe të TMK-së, ju nevojitet të kenë një lidhje më permanente njëri më tjetrin, koordimin sa i përket çështjeve të sigurisë rajonale është i nevojshëm”, shtoi ai.
Megjithatë, Majko theksoi se Kosova ka Shqipërinë në çdo rast, dhe po ashtu NATO-n, dhe se kjo i jep garanci.
Ndryshe, ditën e diel, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka kërkuar që të ndodh anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane në Kosovë.
Mehaj ka pohuar se anëtarësimi i përshpejtuar i Kosovës në NATO dhe vendosja e Bazës së Përhershme të Forcave Amerikane, është nevojë imediate për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Kjo kërkesë e ministrit Mehaj është pasqyruar në mediat ndërkombëtare.
Pavarësia e Kosovës e shpallur në vitin 2008 është njohur nga më shumë se 110 vende, kryesisht nga bota perëndimore, por ende nuk është njohur nga Serbia apo aleatja e saj tradicionale Rusia.
Katër anëtarë të NATO-s poashtu refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/