Telegrafi

Kërkesat për konvertimin e frangut në euro – rriten për 400 për qind

Bankave dhe këmbimoreve u janë rritur kërkesat e klientëve që të konvertojnë frangat zvicerane në euro.

Zyrtarë të bankave në Kosovë thonë se kërkesa për këto konvertime është rritur për 400 për qind. Sipas tyre, rritja ka nisur që në ditën e parë kur franga mori hov, duke u bërë baras me vlerën e euros, raporton KTV.

Disa banka kanë bërë të ditur se përpos rritjes së kërkesave për konvertim, janë rritur edhe kërkesat në depozita. Në presion janë edhe këmbimoret.

Një nga drejtuesit e një këmbimoreje në Prishtinë, i ka thënë KTV-së se që nga 15 janari i këtij viti është rritur në masë të madhe numri i atyre që kërkojnë konvertimin e këtyre dy valutave, transmeton Koha.net.

Sipas tij, ka një numër të madh edhe të qytetarëve me pasaporta zvicerane që po paraqiten nëpër zyrat e tyre për të bërë konvertimin nga franga në euro.