Lëvizje Vetëvendosje i ka kërkuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që të thërret seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për votimin e Qeverisë Kurti 2.
Telegrafi ka siguruar letrën e LVV-së drejtuar kryesisë së Kuvendit.
Në këtë kërkesë thuhet se LVV-ja kërkon thirrjen e kësaj seance, “duke marrë parasysh rrethanat e vakumit institucional dhe vullnetin e qytetarëve të vendit në zgjedhjet e 14 shkurtit”.
Kryesia e Kuvendit do të mblidhet në ora 16:30.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi për medie, ku thuhet se pika e vetme e rendit të ditës do të jetë kërkesa e 52 deputetëve për thirrjen e Seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Qeveria Kurti 2 pritet që të votohet pasditen e së hënës, ndërkaq janë caktuar tashmë edhe emrat që do të përbëjnë kabinetin e ri qeveritar.
Kandidati për kryeministër i Vetëvendosjes, Albin Kurti është deklaruar para mediave para votimit të Qeverisë së Kosovës dhe ka konfirmuar se tashmë është bërë caktimi i ministrave, transmeton Telegrafi.
“I di emrat e ministrave, së shpejti i merrni vesh edhe ju”, tha shkurtimisht ai.
Pas seancës për konstituimin e Kuvendit, ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka kërkuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, e cila i ka kthyer letrën Konjufcës. /Telegrafi/