Telegrafi

Kërcënimi për vizat, sqarohet Zyra e Macronit: Vendimi do të diskutohej me partnerët e tjerë evropianë

Deklarimi i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se janë pezulluar përkohësisht vizat për Kosovën ka ngjallur reagime të shumta.

Zyra e shtypit e Presidentit Macron ka sqaruar për ABC News, se vendimi i Francës do të diskutohej me partnerët e tjerë evropianë, dhe vinte si pasojë e “bllokadës së Kosovës”.

Macroni të martën në një konferencë për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, nuk dha më shumë detaje rreth kësaj çështje, mirëpo tha se çështja e vizave për momentin është pezulluar.

Lexo po ashtu Macron kërcënon me pezullim vizash: Pres përgjegjshmëri nga Kurti e Vuçiq

“Ajo që presim nga autoritetet kosovare dhe serbe është e thjeshtë, riorganizimin e zgjedhjeve në këto komunat ku këto u bënë në kushte të papërshtatshme, pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje, njohjen e asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare.

Pres që presidenti Vuçiq dhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës, të jenë të përgjegjshëm. Ne u kemi besuar për çështjen e vizave dhe u pezullua nga ana e Francës se ka të bëjë me respektin e fjalës së dhënë dhe fjala nuk është mbajtur. Pres që të angazhohen të dyja palët që të ecim përpara në javët e ardhshme, është kushti i paqes në të gjithë zonën”, tha presidenti francez.

Telegrafi ka kontaktuar me Qeverinë e Kosovës lidhur me deklaratën e Macronit, por deri tani nuk ka pasur ndonjë përgjigje. /Telegrafi/