Këngëtari shkodran Luiz Ejlli është kthyer në një prej senzacioneve të momentit në mediat shqiptare.
Që nga pjesëmarrja e tij në spektaklin Big Brother VIP Albania, ai është kthyer në personazhin më të dashur të shumë shqiptarëve për shkak të temperamentit të tij dhe karakterit satirik.
E teksa interesimi për të është gjithmonë në rritje, duket se me hapa të lartë po ecën edhe diskografia e tij jashtë shtëpisë së Big Brother VIP Albania.
Ai ka qenë përfaqësuesi i Shqipërisë në ‘Eurovision 2006’ me këngën “Zjarrë e ftohtë” – e cila është duke shënuar rritje enorme klikimesh që nga futja e Luizit në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.
Në janar të vitit 2022, “Zjarrë e ftohtë” numëronte mbi 218 mijë klikime, të arritura në total për nëntë vite që nga koha kur ishte bërë publikimi i saj nga kanali zyrtar i Eurovisionit në YouTube, në prill të vitit 2013.
Ndërkohë, vetëm një vit më vonë kënga në fjalë ka arritur të ketë mbi 970 mijë klikime dhe është shumë afër milionëshit të parë.
E gjithë kjo rritje vjen që nga koha kur Ejlli u fut në shtëpinë e Big Brother VIP Albania, përkatësisht që nga data 24 dhjetor 2022.
“Zjarrë e ftohtë” është një kompozim i Klodian Qafokut, me tekst të Alban Kondit dhe ishte interpretuar nga Luizi në natën e parë të Eurovision 2006, ku kishte dështuar ta dërgonte vendin e tij në finale, pas dy finaleve të suksesshme të pasuara të Shqipërisë në festivalin evropian, me përfaqësueset paraprake Ledina Çelo (2005) dhe Anjeza Shahini (2004). /Telegrafi/