Zbardhja e fatit të mbi 1,600 personave të pagjetur është e një rëndësie parësore për Qeverinë e Kosovës, si një parakusht për sigurimin e drejtësisë së vonuar.
Zëdhënësja e Qeverisë, Rozafa Kelmendi, tha për Telegrafin se prioritet i Qeverisë Kurti në raport me Serbinë është çështja e të pagjeturve dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Njëzetedy vite pas luftës të gjitha familjet duhet të dinë fatin e më të dashurve të tyre, që dhimbja dhe ankthi i tyre të lehtësohet dhe që ne si shoqëri të fillojmë të shërohemi. Prioritet në raport me Serbinë është çështja e të pagjeturve dhe krimeve të kryera gjatë luftës, pasi Kosova nuk mund të ketë paqe, drejtësi dhe progres, nëse nuk trajton këto krime makabre”, ka thënë ajo.
Kelmendi po ashtu tha se Qeveria është e përkushtuar dhe angazhuar maksimalisht në këtë çështje, përfshirë padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Edhe anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Saranda Bogujevci për Telegrafin tha se sa i përket këtij komisioni shumë shpejt do të kenë takime me akterë të ndryshëm për çështjen e personave të pagjetur.
Ndryshe, ditë më parë presidentja Vjosa Osmani, së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe kryeministrin Albin Kurti, në një që patën me nënat e personave të pagjetur nga organizata “Thirrjet e Nënave”, kishin premtuar nuk do të ndalen deri në zbardhjen e fatit të tyre. /Telegrafi/