Presidenti amerikan, Donald Trump është i gatshëm të dyfishojë sanksionet për ta detyruar Rusinë të ndalojë luftën kundër Ukrainës, tha i dërguari special për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg.
Ai përmendi se sanksionet ndaj Rusisë aktualisht janë “vetëm në nivelin e tretë në një shkallë prej dhjetë pikësh sa i përket intensitetit të presionit ekonomik”.
“Mund t’i rrisim ndjeshëm sanksionet, veçanërisht ato më të rejat. Dhe nëse ka dikë që e kupton këtë levë presioni, ai është presidenti Donald Trump, dhe këtë mund ta shihni nga ajo që ka bërë kohët e fundit në zgjidhjen e problemeve të tjera ndërkombëtare”, deklaroi Kellogg.
Ky i fundit konfirmoi se gjatë javës së kaluar, Trump ka mbledhur të gjithë ekipin e këshilltarëve dhe anëtarëve të kabinetit për të gjetur mekanizma dhe instrumente të rinj për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, shkruan nypost.
“Zgjidhja e luftës ruso-ukrainase është vërtet një përparësi për të gjithë administratën, pra një qasje e të gjithë qeverisë. Ne kemi formuar një ekip për sigurinë kombëtare të përbërë nga presidenti, nënpresidenti, këshilltari për sigurinë kombëtare, sekretarët e shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, të cilët punojnë së bashku”, shtoi zyrtari amerikan.
Ai shtoi se Ukraina duhet të mbajë presionin ushtarak ndaj Rusisë derisa të fillojnë negociatat dhe kritikoi qasjen e ish-presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ishte zotuar se do ta ndihmonte Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.
“Duhet të ushtrosh presion ekonomik, presion diplomatik, një lloj presioni ushtarak dhe të përdorësh levat nën të për të siguruar që kjo të shkojë aty ku duam”, përfundoi Kellogg.
Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022. /Telegrafi/