Site icon Telegrafi

Kearns pas sulmit në Ibër Lepenc: Dështimi i Serbisë për ta arrestuar Radoiçiqin i inkurajon të tjerët

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka dënuar ashpër sulmin terrorist në kanalin e ujit të Ibër – Lepencit më 29 nëntor.

Kearns e cilësuar atë si një përpjekje të qartë për të dëmtuar civilët përmes shkatërrimit të infrastrukturës kritike.

Në një postim në platformën “X”, Kearns kritikoi Serbinë për mosarrestimin dhe mosdeportimin e Milan Radoiçiqit dhe të tjerëve të përfshirë në sulmin në Banjskë, duke theksuar se ky veprim inkurajon akte të tjera të ngjashme.

“Mbretëria e Bashkuar duhet të qëndrojë me vendosmëri me Kosovën kundër terrorizmit,” ka shkruar ajo.

Kryeministri Albin Kurti, ka akuzuar fqinjin verior të Kosovës, Serbinë, për “sulm kriminel dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Lexo po ashtu Dosja e Prokurorisë: Vëllezërit Viqentijeviq dyshohen se kryen veprën terroriste duke përdorur eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit

Sulmi me eksploziv nuk dihet ende se nga kush u krye, por Kosova tha se ishte sulm terrorist i nxitur nga shteti i Serbisë me qëllim për ta shkatërruar infrastrukturën kritike.

Shpërthimi rrezikoi furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijes për qindra mijëra qytetarë të Kosovës.

Ndërkaq, lidhur me këtë sulm Prokuroria Speciale në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Jovan Viqentijeviq, thotë se ekziston dyshimi i bazuar se ai bashkë me vëllanë e tij, Dragisha Viqentijeviq me qëllim kanë dëmtuar pajisjen e ujësjellësit dhe kanë kryer veprën terroriste, duke përdorur eksploziv./Telegrafi/

Exit mobile version