Telegrafi

KDI reagon për deklaratën e Shalës: Kushtetuta thotë se deputeti nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar në lidhje me deklaratën e deputetit, Haxhi Shala i cili tha se mbrëmë pasi ishte vizituar nga presidenti, Hashim Thaçi dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kishte vendosur të votonte pro Qeverisë Hoti.

KDI ka shprehur shqetësimin në lidhje me këtë deklaratë, duke rikujtuar se Kushtetuta e Kosovës thotë se deputetët janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues.

Lexo po ashtu Haxhi Shala: Pas vizitës nga Thaçi e Haradinaj, vota ime pro Qeverisë Hoti

“KDI shpreh shqetësim lidhur me deklaratën publike të deputetit Haxhi Shala në seancën e sotme për ndryshimin e qëndrimit të tij për votimin e Qeverisë ‘Hoti’. Deputeti Shala deklaroi që ‘pas vizitës së mbrëmshme në familjen time të Presidentit dhe ish- kryeministrit Haradinaj kam ndërruar mendje dhe vota ime do të jetë pro për këta dy persona dhe pro Qeverisë Hoti’. Rikujtojmë që Kushtetuta e Kosovës (neni 70, pika 1) lidhur me mandatin e deputetëve thotë që ‘deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues'”, thuhet në komunikatën për medie të KDI-së.

Lexo po ashtu Haradinaj tregon si e bindi Haxhi Shalën ta votojë Qeverinë Hoti

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur në lidhje me vizitën që i kishte bërë mbrëmë bashkë me presidentin Hashim Thaçi deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala. Deputeti Shala ka thënë se pas kësaj vizite ka vendosur të votojë pro formimit të Qeverisë Hoti.

Haradinaj tha se ai dhe presidenti kanë marrëdhënie miqësore me Shalën dhe pranoi se i ka kërkuar që të votojë këtë qeveri. /Telegrafi/