Projektligji për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nuk arriti të miratohet në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës për shkak të mungesës së kuorumit.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se diskutimet pozitë-opozitë shpërfaqën mungesën e një konsensusi politik për ta shtyrë përpara një çështje kaq të ndjeshme, siç është konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme.
KDI tutje thotë se në parim e vlerëson si të duhur dhe të nevojshëm krijimin e një mekanizmi të konfiskimit civil të pasurisë, por konsideron që Projektligji në fjalë nuk përmbushë disa prej garancive kryesore kushtetuese të të drejtave të njeriut.
Ky Projektligj sipas tyre as nuk siguron pavarësi dhe funksionalitet të duhur të Byrosë, ashtu siç është potencuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias.
“Megjithatë, konsiderojmë që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i sponsorizuar nga Ministria e Drejtësisë, nuk përmbushë disa prej garancive kryesore kushtetuese të të drejtave të njeriut dhe nuk siguron pavarësi dhe funksionalitet të duhur të Byrosë, ashtu siç është potencuar edhe në opinionin e Komisionit të Venecias lidhur me këtë projektligj”.
“Duhet theksuar po ashtu që Komisioni i Venecias ka evidentuar mangësi dhe probleme në pjesën më të madhe të këtij projektligji, adresimi i së cilave nënkupton ndryshim esencial të përmbajtjes së tij”, thuhet tutje në komunikatën për media.
Andaj, në një situatë të tillë, KDI vlerëson se është e domosdoshme që Qeveria e Kosovës, ta rikthejë këtë iniciativë në pikë zero, duke e tërhequr atë fillimisht nga Kuvendi.
“Tutje, Ministria e Drejtësisë duhet të themelojë një grup punues të ri dhe gjithëpërfshirës për këtë projektligj, duke u siguruar që secili prej rekomandimeve të Komisionit të Venecias të reflektohet në draftin e ri”.
Ndryshe, opozita është deklaruar sot kundër Projektligjit për Byronë, duke e quajtur iniciativë joserioze. /Telegrafi/