Site icon Telegrafi

KDI e renditi komunën e Gjilanit në vendin e 17-të, reagon LDK-ja: Dëshmi se qeverisja e VV-së është jotransparente

Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Gjilan, ka thënë se raporti i fundit i Institutit Demokratik të Kosovës ku komunën Gjilanin e rangon në vendin e 17, është dëshmia më e mirë se qeverisja e VV-së është jotransparente.

“A ka vend për t’u krenuar me vendin e 17, kur një komunë tjetër fqinje rangohet në vendin e tretë?! Sa për dijeni është pikërisht organizata KDI që Gjilanin nën qeverisjen e LDK-së e ka vlerësuar disa herë radhazi kampion në Kosovë për transparencë”, thuhet në reagimin e LDK-së.

LDK shton se është tejet shqetësues fakti që KDI e poenton Gjilanin me zero te indikatori për vendimet e kryetarit.

“Pse nuk publikohen vendimet e kryetarit dhe çka fshihet prapa këtyre vendimeve?! Për më keq kjo organizatë kredibile e vlerëson me zero edhe që nuk ka plan të punës. Lidhja Demokratike e Kosovës, Dega në Gjilan, në vazhdimësi ka ngritur shqetësimet për mostransparencën e qeverisë së udhëhequr nga VV, për nepotizëm dhe për qeverisje pa plan. Edhe më keq se kaq VV i ka stopuar projektet zhvillimore të Gjilanit”, thuhet tutje në reagim.

LDK thekson se janë dhënë 109 premtime mirëpo për nëntë muaj qeverisje janë zero të iniciuara.

“Kjo është e pafalshme dhe qytetarët e Gjilanit po e shohin për çdo ditë katandisjen e pushtetarëve, keq qeverisjen, nepotizmin e depresionin politik dhe ekonomik që e kanë sjell në Gjilan”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version