Telegrafi

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

Policia e Kosovës ka njoftuar për katër raste të dhunës në familje që kanë ndodhur brenda 24 orëve në vendin tonë.

Policia bën të ditur se rastet e dhunës kanë ndodhur në Viti, Suharekë, Malishevë dhe Rahovec.

Siç njofton Policia, viktimat tashmë kanë pranuar tretmanin mjekësor ndërsa me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, transmeton Telegrafi.

Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se në Viti një nënë ka rrahur vajzën e saj.

“Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi që kishte ushtruar dhunë ndaj vajzës së saj viktimës femër kosovare e mitur. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt”.

Ndërsa, në Suharekë një person ka sulmuar fizikisht prindin e tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka sulmuar fizikisht prindin e tij viktimën mashkull kosovar. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje”.

Po ashtu, në Malishevë dy persona kanë ushtruar dhunë ndaj kunatës.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar, pasi që të njëjtit kanë ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj viktimës femër kosovare bashkëshortes respektivisht kunatës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dyshuarit dërgohen në mbajtje”.

Një person është arrestuar edhe në Rahovec, pasi që i njëjti ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij”.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Për rastet e dhunës në familje dhe në shkolla, sot do të diskutohet në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore për persona të pagjetur, Viktima të Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione. /Telegrafi/