Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka konfirmuar për Telegrafin se katër policë janë lënduar në ndeshjen e Superkupës së Kosovës në basketboll.
Dhuna mes tifozëve shpërtheu pas përfundimit të pjesës së parë, pasi Plisat dhe Torcidat eskaluan në hedhjen e gjësendeve të forta dhe fishekzjarrëve në parket.
Në njoftimin e Ahmetit, bëhet e ditur se katër policë janë lënduar, derisa janë munduar të qetësojnë turmën, ndërsa kanë filluar hetimet për identifikimin e personave që ngjallën dhunë.
“Sot rreth orës 18:00, në Pallatin e Rinisë, gjatë një ndeshje basketbolli, ka ndodhë një incident, ku tifozët duke dëmtuar sallën, janë gjuajtur mes vete me mjete të forta, me ç ‘ rast kanë lënduar 4 zyrtarë policor, të cilët ishin në detyrë, të angazhuar për menaxhimin e situatës. Nga ana e tifozëve, deri tani nuk është raportuar për ndonjë të lënduar”, ka thënë Ahmeti për Telegrafin.
“Pas vënies nën kontroll të situatës, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, kanë nisë një hetim për identifikimin dhe arrestimin e peronave të dyshuar për veprat Sulm ndaj personit zyrtar dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Nesër (e hënë) në orën 10:00 do të mblidhet Këshilli për parandalimin e dhunës dhe dukurive tjera negative në sport.
Në këtë mbledhje do të kërkohet raport i detajuar për incidentet e dhunshme gjatë ndeshjes finale të Superkupës së Kosovës ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës. /Telegrafi/