Telegrafi

Kastrati: Buxheti i tanishëm i FSK-së, vetëm për të mbijetuar (Video)

Ish – komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, ka theksuar se buxheti aktual i ndarë për këtë institucion, është i mjaftueshëm vetëm sa për të mbijetuar.

Kastrati, në emisionin “Përballje” prodhim i Telegrafit, me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë buxheti është faktori kryesor për kohën se sa do të zgjatë transformimi, duke shtuar se transformimi i plotë i FSK-së është planifikuar të zgjatë 10 vite.

“Nëse kemi buxhet sa duhet dhe do të kishim rritje të tij, nga ai aktual, besoj se transformimi i FSK-së do të ndodhte për 7 ose 8 vite”, ka thënë Kastrati.

Sipas tij, deri në mesin e vitit 2018, duhet të fillojë procesi i transformimit të FSK-së.

“Duhet të provohet me ndryshime kushtetuese, por nëse një gjë e tillë nuk pranohet nga serbët, duhet që ta zgjidhim këtë çështje përmes Ligjit për FSK. Nuk mund që serbët me tre – katër për qind ta bllokojnë bërjen e vendit me ushtri”, ka shtuar ai.

Ai më tutje ka theksuar se FSK duhet të ketë armatim dhe pajisje mbrojtëse. Kosova nuk ka pretendime ndaj territoreve tjera, dhe sipas tij, do të ketë vetëm pajisje mbrojtëse.

“Nuk ka nevoje për tanke, nuk ka nevojë për aeroplanë luftarakë. Për helikopterë kemi nevojë, ku mund të përdoren për raste emergjente dhe shpëtim të jetëve”, ka shtuar Kastrati.

Sipas tij, është planifikuar që ushtria e Kosovës, t’i ketë 5 mijë trupa aktive dhe 3 mijë rezervë./Telegrafi/