Site icon Telegrafi

Kasanof në Kosovë – çfarë u bisedua në takimet e emisarit amerikan me Osmanin e Kurtin?

Zëvendësndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof ka qëndruar të enjten për vizitë në Kosovë, ndërsa është takuar me presidenten e shtetit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u diskutua për forcimin e mëtejshëm të aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë për t’i përmbushur synimet e përbashkëta strategjike.

“Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj të thellë për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve ndaj Kosovës, duke shtruar nevojën e dialogut strategjik me SHBA-në, si një hap i rëndësishëm në fuqizimin e partneritetit, kërkesë kjo që ka vite që është përcjellë nga Presidentja Osmani”, ka njoftuar tutje Zyra e Presidentes.

Në këtë kontekst, presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke potencuar se një Kosovë e integruar në Aleancën Veri-Atlantike forcon sigurinë e vendit, por kontribuon edhe në stabilitetin e rajonit.

Zëvendësndihmës Sekretari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Në takimin me Kasanof, presidentja Osmani diskutoi edhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë, siç është fusha e mbrojtjes dhe sigurisë.

Me Zëvendësndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor është takuar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Në njoftimin e Kryeministrisë thuhet se Kurti shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kontributit të tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit tonë.

Gjatë takimit me Kasanof Kurti tha se “me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajmë vlera dhe qëllime të përbashkëta, si miq, aleatë e partnerë, e cila reflektohet edhe nga dëshira e perceptimi edhe i vetë qytetarëve të vendit tonë”.

Kryeministri falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë e më gjerë. Theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur vendi ynë përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç’rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.

Zëvendësndihmës Sekretari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof gjatë një vizite në Prishtinë

Kurti theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, e cila i kontribuon qytetarëve të dy vendeve.

Duke folur për marrëdhëniet bilaterale, kryeministri Kurti trajtoi mundësitë e bashkëpunimit edhe me emisarin e ri Alexander Kasanof si dhe partnerët tanë evropianë pas zgjedhjeve të mbajtura dhe komisionerëve të rinj.

Ai shtoi dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim.

Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku kryeministri u tha se shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit.

Kasanof po e viziton Kosovën për herë të parë si i dërguar amerikan për Ballkanin Perëndimor – pasi e pasoi Gabriel Escobarin – ku pritet të zhvillojë konsultime të rregullta me Kurtin dhe me zyrtarë të Qeverisë, liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.

Zëvendësndihmës Sekretari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier

E për vizitën e Kasanof në Kosovë ka shkruar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Hovenier tha se presin një vizitë produktive të Kasanofit, duke treguar mbështetjen afatgjate amerikane për popullin e Kosovës.

“Presim një vizitë produktive duke treguar mbështetjen tonë afatgjate për popullin e Kosovës, për të adresuar shqetësimet e përbashkët dhe duke kërkuar të arrijmë përparim në rrugën evropiane të Kosovës, si një shtet sovran, i pavarur dhe multientik”, kishte shkruar ambasadori. /Telegrafi/

 

Exit mobile version