Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes me Anglinë.
Kosova është nikoqire e Anglisë në ndeshjen e fundit eliminatore për Euro 2020 në kuadër të Grupit A.
“Është e rëndësishme në çdo ndeshje fitorja, pasi dihet që kemi përballë një ekip të fortë. Fitorja do thoshte se edhe nga një zhgënjim i madh do të kthemi të fortë ndaj një kundërshtari të fortë”, ka thënë fillimisht Rrahmani në konferencë.
“E kemi dëshmuar edhe pas ndeshjes me Anglinë kur e kemi humb, pasi ndeshjen tjetër e kemi fituar në shtëpi. E kemi dëshmuar se mund të fitojmë dhe të rikthehemi furishëm pasi jemi ekip me karakter”.
“Do të mundohemi që të fitojmë, ta zhvillojmë ndeshjen tonë, të mos pësojmë gola ose të pësojmë sa më pak, dhe të mundohemi të fitojmë”.
“E di se Harry Kane është një prej sulmuesve më të mirë ne Botë dhe është e vështirë ta ndalësh, jo vetëm atë, por edhe të tjerët te Anglia”.
“Do të mundohemi si ekip ta ndalim atë dhe krejt ekipin e Anglisë. Anglia ka lojtarë të tjerë të rrezikshëm, luajti apo jo Kane”, përfundoi kapiteni.
Ndryshe, ndeshja pritet të zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 18:00. /Telegrafi/