Telegrafi

Kapiteni Gjimshiti: Jemi gati për Italinë, nuk kam biseduar me Scamaccan

Kapiteni Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka folur pas ndeshjes me Azerbajxhanin, ku kuqezinjtë shënuan fitore me rezultat 3-1, e që ishte testi i fundit para udhëtimit në Gjermani për Euro 2024.

Nedim Bajrami, Rey Manaj dhe Qazim Laçi i shënuan golat në fitoren e Shqipërisë, ndërsa kapiteni Gjimshiti e nisi ndeshjen si titullar.

“Kam ardhur pak me vonesë, e mbaruam pak më vonë kampionatin. Kam gjetur një ekip që është shumë gati, dhe që është ushtruar shumë. U pa në këto dy ndeshje. Kemi edhe një javë për t’u përgatitur me Italinë. Jemi të gjithë gati”.

“Nuk është problem fakti që luaj me tre mbrojtës tek Atalanta dhe me katër te Shqipëria. Të gjithë ndeshjet e eliminatoreve i kemi luajtur me katër, nuk e kam problem”, deklaroi fillimisht Gjimshiti.

Tutje mbrojtësi që triumfoi me Atalantan në Ligën e Evropës, ka folur për ndeshjen e parë me Italinë dhe sulmuesin Gianluca Scamacca.

“Scamacca? Jo, nuk kemi diskutuar shumë me njëri-tjetrin. Më shumë më kanë thënë shokët që t’i bëj ndërhyrje të ashpra dhe të mos e lejoj të shënojë. Nuk do të jetë Gjimshiti përballë Scamaccës, por Shqipëria kundër Italisë”.

“I njohim shumë mirë, pasi kemi lojtarë që kanë vite që luajnë në Itali. Kjo është pozitive dhe mund të jetë një ndihmë për ne. Shpresoj t’i bëjmë të gjithë shqiptarët krenarë”, ka thënë Gjimshiti për emisionin “KUQEZI” në SuperSport. /Telegrafi/