Një peshkaqen dhelpër është kapur në afërsi të ishullit të Sazanit. Peshkaqeni ishte i gjatë rreth 3 metra e 30 cm ndërsa peshonte rreth 200 kg.
Peshkaqeni është kapur në veri të ishullit të Sazanit, jashtë Gjirit të Vlorës. Ky peshkaqen futet në llojin e specieve në rrezik zhdukje që s’para haset në brigjet e Shqipërisë pasi noton në ujëra me thellësi të mëdha.
Peshkaqeni dhelpër qëndron gjithmonë larg bregut për të mos u evidentuar nga peshkatarët dhe qëndron gjithmonë në thellësinë 70 metra.
Bishtin e gjatë peshkaqeni e përdor si kamxhik për të goditur prenë e tij. Kryesisht ushqehet me peshq. Noton mirë dhe shpejt dhe ka aftësi fiziologjike të ruajë temperaturën e brendshme të trupit, më të ngrohtë se ai i ujit të detit përreth.
Pavarësisht madhësisë nuk është i rrezikshëm për njerëzit për shkak të dhëmbëve të vegjël. Ndërsa është shumë i çmuar për peshkatarët për shkak të mishit të tij dhe të vajit të mëlçisë. /oranews/