Telegrafi

Kapen 151 kg drogë në Shkodër, arrestohen tre persona

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “BARDHAJ”. Goditet një tjetër tentativë për trafik të lëndëve narkotike. bSekuestrohen 151 kg marijuanë dhe dy automjete.

Nga Strukturat e DVP Shkodër, mbi bazën e një pune të mirëfilltë operative policore, pasi janë grumbulluar informacione në lidhje me një grup kriminal që ka lidhje me organizimin, financimin dhe transportin me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike drejt Malit të Zi, u finalizua me sukses operacioni policor “Bardhaj”, ku u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

K. P., 25 vjeç, banues në Shkodër

R. B., 42 vjeç, banues në Danilograd, Mali i Zi.

M. R., 36 vjeç, banues në Nikshiq, Mali i Zi

Kapja dhe arrestimi i shtetasve të mësipërm u bë pasi nga kontrolli në brendësi të mjetit tip furgon “Volkswagen” me targa malazeze, i cili ishte futur në Shqipëri nëpërmjet PKK të Hanit të Hotit nga shtetasi R.B, u konstatuan 25 paketime polisteroli, 13 nga të cilat kishin brenda tyre lëndë narkotike të dyshuar “marijuanë” me peshë totale 151 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 2 automjete, 5 telefona celularë, 1 palë dylbi dhe një sasi eurosh.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal./lapsi/