Site icon Telegrafi

Kanye West nga skena i lutet Kimit që ndodhej në tribunë: Kam nevojë të kthehesh menjëherë tek unë

Kanye West nuk ka hequr dorë nga shpresa për të shpëtuar martesën e tij.

Ylli i hip-hop-it i bëri një apel publik gruas së tij të larguar, Kim Kardashian, që të “vraponte menjëherë tek ai” ndërsa performonte së bashku me reperin Drake në koncertin e përfitimeve “Free Larry Hoover” të enjten mbrëma, shkruan CNN.

Ngjarja, e cila u zhvillua në Los Angeles Memorial Coliseum dhe u transmetua drejtpërdrejt në Prime Video të Amazon, kishte për qëllim të rriste ndërgjegjësimin për reformën e burgut dhe dënimit dhe, më konkretisht, rastin e Larry Hoover.

West dhe Drake kanë mbrojtur lirimin e bashkëthemeluesit të bandës ‘Gangster Diciples’ të Çikagos, i cili u dënua për vrasje në vitin 1973 dhe aktualisht po vuan gjashtë dënime të përjetshme në një burg supermax në Kolorado.

Gjatë një interpretimi të këngës së tij “Runaway”, West vendosi të devijonte nga mesazhi kryesor i koncertit dhe të niste një përpjekje për të rifituar gruan e tij.

“Kam nevojë që të vraposh menjëherë tek unë”, tha West, duke shtuar një varg të ri në këngë. “Më konkretisht, Kimberly”.

Koncerti ishte performanca e parë kryesore e Westit në pesë vjet dhe gjesti i tij shkaktoi një reagim të madh nga turma.

Kardashian bëri kërkesë për divorc nga West në muajin shkurt të këtij viti, shtatë vjet pasi dyshja u martuan në një martesë luksoze në Itali.

Deklarata romantike e krijuesit të hitit “Gold Digger” vjen disa javë pasi ai e bëri të qartë se ende shpresonte për një pajtim mes tij dhe Kimit.

West, tani i njohur ligjërisht si Ye, foli për kolapsin e martesës së tij muajin e kaluar gjatë një paraqitjeje në një episod të ‘podcast’-it “Drink Champs”.

Duke iu referuar Kardashianit si gruaja e tij, ai tha: “Nuk i kam parë as letrat, as nuk jemi divorcuar”.

Ai shtoi: “Fëmijët e mi duan që prindërit e tyre të qëndrojnë së bashku. Unë dua që ne të jemi bashkë”.

Aktualisht përflitet se Kardashian është në lidhje me komedianin e “Saturday Night Live” Pete Davidson, pasi një burim i afërt me Kardashian ka deklaruar për CNN se ata po i marrin gjërat ngadalë.

“Ata sapo po njihen me njëri-tjetrin, jo seriozisht”, tha burimi. “Kjo është hera e saj e parë që sheh dikë (që nga kërkesa për divorc), kështu që ajo po e merr shumë ngadalë”, tregoi ky burim. /Telegrafi/

Exit mobile version