Kandidatja e pavarur për kryetare të komunës së Zveçanit, Slagjana Pantoviq, ka bërë të ditur se do të garojë në zgjedhjet e ardhshme lokale në këtë komunë në veri të Kosovës, që janë shpallur për 18 dhjetor, të cilat Lista Serbe ka paralajmëruar se do t’i bojkotojë.
Pantoviq ka thënë për “Danas” se do të dalë si kandidate e pavarur në zgjedhje pa marrë parasysh vendimin e Listës Serbe, për të cilën thotë se nuk përfaqëson interesat e popullit serb, por interesat e tyre personale dhe se ata po zbatojnë një diktaturë për të qenë përfaqësues të vetëm të serbëve në Kosovë.
“Ata zbatojnë një sistem njëpartiak. Lista Serbe nuk janë të gjithë serbët, unë po luftoj kundër kësaj dhe do të aplikoj për të kandiduar në zgjedhje deri në fund të afatit të zgjatur. Do të kisha aplikuar më herët, por nuk bëra për shkak të detyrimeve personale, kështu që u vonova”, thotë Pantoviq, transmeton Telegrafi.
Duke komentuar pretendimin e Jablanoviqit ajo thotë se Lista Serbe nuk zgjedh mjete për të arritur qëllimin e saj.
“Lista Serbe nuk zgjedh mjetet për të arritur qëllimin, po humbin shumë tani. Bankomati i tyre po funksionon, kurse flasin për patriotizëm. Unë personalisht nuk e di se çfarë u bën Kurti, nuk jam as për Vuçiqin, as për Kurtin, as nuk më interesesojnë, as nuk jam në listën e eurove, nuk marr rrogë të Kosovës, vetëm serbe. Për dallim nga ata që marrin pesë apo gjashtë rroga”, thotë Pantoviq.
Ka mundësi që në momentin e fundit Lista Serbe të dalë në zgjedhje, sepse “prej tyre gjithçka është e mundur dhe prej tyre mund të pritet edhe ajo që është një mision i pamundur”.
E pyetur se nëse mendon se do ta akuzojnë si “serbe e Kurtit”, ajo thotë se me akuza të tilla është përballur edhe në procesin e kaluar zgjedhor.
“Kanë thënë se unë ‘punoj për shqiptarët’ dhe se jam “tradhtare shqiptare”. Mua nuk më intereson kjo, çdo fyerje e tyre ndaj meje është një kompliment për mua. Sa më shumë që më shajnë, aq më shumë më japin forcë për të dalë kundër tyre, jo personalisht, por kundër qëndrimeve dhe punës së tyre. Adoptuan parimet e nepotizmit, punësuan të afërmit e tyre. Kur hyni në komunën time, aty janë të punësuar të gjithë – nga kushëriri i Todosijeviqit, te kumbara e tij, nuk e di kë krejt kanë mbetur pa e punësuar, edhe qentë, macet dhe kafshë të tjera shtëpiake. Nuk e di, ndoshta edhe ara janë në listë”, thotë ajo.
E pyetur se çfarë mendon për bojkotin e Listës Serbe, e cila e paraqet këtë lëvizje si fatale për mbijetesën e popullit serb në Kosovë, ajo thotë: “Çfarë mbijetese? Punojnë vetëm për interesa personale”.
“Çfarë bënë për serbët e veriut të Kosovës në dhjetë vjet? Çfarë? Veç që kanë punësuar të afërmit, miqtë e tyre që marrin nga pesë rroga dhe mbarojnë universitetin ata që janë gjysmë të kualifikuar dhe që nuk kanë lidhje me politikën. Mua nuk me hoqi as Kurti, as dikush tjetër nga lista [e të punësuarve], më ka hequr kryetari i atëhershëm i Listës Serbe”, thotë ajo.
Ajo shpjegon se ka punuar në komunë për 30 vjet, dhe se në vitin 1999 ka filluar të marrë ndihmë financiare nga UMNIK-u, dhe se më vonë është punësuar në komunë në sistemin e Kosovës dhe ka marrë pagën e Kosovës deri në vitin 2015, kur atë së bashku me njëzet punonjës të tjerë, Lista Serbe i hoqi nga lista e të punësuarve pa asnjë shpjegim
“Prandaj nuk mund të them që jam patriot dhe as e kam thënë ndonjëherë, ndryshe nga ata. Nuk kam shkuar në asnjë miting dhe as nuk do të shkoj. Kam marrë rrogë të Kosovës, kam punuar në një komunë të Kosovës dhe kam marrë rrogë të dyfishtë. Fundja unë jam kundër konfliktit. Nëse nuk mund të gjendet kompromis mes shqiptarëve dhe serbëve, nuk e di se si ata (Lista Serbe) bënë kompromis, të gjithë morën automjete me targa RKS. Dhe tani po i thonë popullit që të dalin në barrikada për të protestuar për hir të popullit, e atyre sikur u bën këtë. Unë nuk kam veturë, a duhet ta vendos ‘RKS’ në taka. Është idiotizëm ajo që bëjnë”, shpjegon ajo.
Duke folur për tubimin e nesërm në Mitrovicë, të paralajmëruar si tubim i të gjitha grave dhe nënave nga Kosova, ajo thotë se ata vetë e kanë lënë punën.
“Kurti u bën thirrje serbëve që të kthehen në institucione. Çfarë ndodhë me njerëzit që nuk marrin euro dhe paga të dyfishta dhe që nuk punojnë askund? Çfarë ndodhë me ata? Pse nuk pyeten për këtë? Ndërsa tani i kanë humbur paratë e mira që ua jep Kurti, bankomatet shkëlqejnë kur aty rrinë paratë, e ata flasin për patriotizëm. Nëntë deputetë hynë dhe bënë betimin. Kjo mund të çojë vetëm në një bujë të madhe dhe nuk ka nevojë, nëse Lista Serbe është e sigurt në cilësitë dhe punën e saj, pse i detyrojnë njerëzit në mitingje dhe barrikada? Pse të shantazhohet dikush, nëse jeni të sigurt që po e bëni punën si duhet. Nuk janë të sigurt. Së pari, kryetari im Teodosijeviq, i cili nuk e di sa shkronja ka alfabeti, kurse thotë se ka një fakultet”, thotë ajo. /Telegrafi/