Pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë vjen një valë solidariteti nga Evropa. Kancelarja Merkel i ka ofruar ndihmë emergjente Shqipërisë. Shumë vende të tjera fqinje e evropiane tregohen solidare me Shqipërinë.
Ndihmat e para janë nisur ndërkohë drejt Shqipërisë. Sipas njoftimeve të autoriteteve shqiptare, fqinjët e Shqipërisë, Italia dhe Greqia kanë nisur avionë me ndihma në Shqipëri. Edhe Kosova po ndihmon. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, shkruan, se “Kosova ka dërguar njësitë e saj për të ndihmuar autoritetet në këto momente të vështira”. Autoritetet të larta nga Kosova kanë bërë të ditur dërgimin e forcave të ushtrisë dhe emergjencës.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, sipas njoftimeve, ka vënë në përdorim mekanizmin e ndihmës së emergjencës. Njoftimi vjen nga zyra e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Edhe Mali i Zi dhe Serbia janë të gatshme të ndihmojnë Shqipërinë. Nga Mali i Zi dhe nga Serbia janë nisur dy ekipe të specializuara për shpëtimin në raste katastrofash. Nga Rumania janë nisur ndërkohë dy aeroplanë ushtarakë shpëtimi, pritet të mbërrijnë në Shqipëri edhe ndihmat nga Turqia.
Reagime pas tërmetit në Shqipëri erdhën edhe nga Presidenti i Parlamentit Evropian, David Sassoli. Ai shkroi në twitter, se, “jam thellësisht i prekur për lajmet e tërmetit shkatërrues në Shqipëri. E gjithë Evropa është solidare me vendin dhe njerëzit. Mendimet tona janë me viktimat dhe të dashurit e tyre”.
Solidaritet me Shqipërinë ka treguar edhe fituesi i zgjedhjeve të fundit në Austri, dhe ish-kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurz.
“Mendimet e lutjet e mia janë me shqiptarët, veçanërisht me familjet e viktimave të tërmetit. Ne jemi të gatshëm për ndihmë”, shkruan Kurz.
Edhe kryeministri i Bullgarisë, Boiko Borissov, i cili ka telefonuar kryeministrin Rama për të ofruar ndihmë, shkruan në Twitter se e ndan dhimbjen me shqiptarët në këtë ditë të vështirë dhe shpreh shpresën për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve e restaurimin e dëmeve materiale.
“Jemi gati të ndihmojmë”, shkruan Borissov.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, po ashtu ka ofruar ndihma në një telefonatë me kryeministrin Rama. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov shkruan se, “jam thellësisht i prekur për lajmin e humbjes së jetëve në Shqipëri. Gati të ndihmojmë”. /Deutsche Welle/