Telegrafi

Kanadaja i vë sanksione ekonomike Rusisë, Trudeau: Putin ndoshta ka nënvlerësuar fuqinë e bashkësisë ndërkombëtare

Kryeministri kanadez Justin Trudeau, ka paralajmëruar një sërë sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë, “derisa të rivendoset integriteti territorial i Ukrainës”.

Kanadaja do t’ua ndalojë shtetasve të saj të kryejnë transaksione ndërkombëtare me rajonet separatiste pro-ruse Luhansk dhe Donetks në lindje të Ukrainës, duke i vënë sanksione deputetëve rusë që kanë votuar pro “vendimit të kundërligjshëm për pranimin e këtyre territoreve” – si dhe do t’ua ndalojë kanadezëve të blejnë mallra ruse, transmeton Telegrafi.

Përveç kësaj, bankave ruse që përkrahen nga shteti do t’ju vihen “sanksione shtesë”, e Kanadaja do të ndalojë çfarëdo transaksioni financiar me to, ka thënë ndër tjera kryeministri kanadez.

“Presidenti rus Vladimir Putin ndoshta ka nënvlerësuar fuqinë e përgjigjes së bashkësisë ndërkombëtare”, tha Trudeau – duke u shprehur i bindur se “një përgjigje e fortë dhe unike nga e mbarë bota, do t’i kushtojë shtrenjtë Putinit”.

Megjithatë ka theksuar se nuk është vonë që Rusia të kërkojë zgjidhje diplomatike, dhe shtoi se bisedimet diplomatike do të vazhdojnë. /Telegrafi/