Kanadaja do të dërgojë 40 inxhinierë luftarakë në Poloni në një përpjekje për të trajnuar forcat ukrainase.
Gjatë një konference për shtyp sot në Varshavë, ministrja e mbrojtjes e Kanadasë, Anita Anand tha se “në javët e ardhshme, Kanadaja do të vendosë rreth 40 inxhinierë luftarakë në Poloni për të ndihmuar forcat polake të trajnojnë inxhinierët ukrainas për zbulimin e eksplozivëve, minim dhe deminim”.
Anand tha se trajnimi shtesë “do të plotësojë trajnimin kanadez të rekrutëve të rinj ukrainas në Mbretërinë e Bashkuar dhe trajnimin kanadez të personelit ukrainas për përdorimin e obusit M777 që ne i dhuruam Ukrainës”.
Forcat e armatosura kanadeze kanë trajnuar më shumë se 33 mijë ushtarakë dhe personel të sigurisë ukrainase që nga viti 2015, por kanë ndaluar disa aspekte të përpjekjeve stërvitore që nga shkurti.
Ata kanë ndihmuar gjithashtu ushtrinë dhe qeverinë polake në mbështetjen e qendrave të pritjes së refugjatëve dhe kanë ndihmuar në mbështetjen e programeve të trajnimit me bazë në Britani. /Telegrafi/