Trepça ’89 ka arritur ta mposhtë kampionin aktual të Kosovës, Feronikelin në ‘Riza Lushta’ me rezultat 3:1.
Vendasit që nga fillimi i ndeshjes u paraqitën më mirë, ndërsa golin e epërsisë e realizuan në minutën e tretë nëpërmjet Argjend Mustafës.
Goli i dytë për vendasit erdhi në minutën e 18-të ku nga pika e bardhë shënoi Blerand Kurtishaj.
Ndërkohë për 3-0 u përkujdes mbrojtësi i mysafirëve Ardian Limani duke shënuar autogol, para se të shënohet goli i nderit nga Mark Milicaj.
Prishtina ka arritur ta fitojë derbin e kësaj jave duke e mposhtur Dritën me rezultat 3:2.
Labinot Osmani, Kreshnik Lushtaku dhe Petrit Osmani shënuan golat për vendasit, ndërsa për Dritën realizuan Shqiprim Kelmendi dhe Florim Berisha.
Besa dhe Gjilani shënuan fitore të rëndësishme në shtëpi ndaj Llapit respektivisht Drenicës.
Pejanët iu falën Kastriot Rexhës duke shënuar fitore 2-0, ndërsa Gjilani mposhti Drenicën 2-1 me golat e Arbër Shalës dhe Gëzim Rusit.
Ndeshja mes Vushtrrisë dhe Lirisë përfundoi ashtu siç filloi pa gola 0-0. /Telegrafi/