Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka dënuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë.
Ajo deklaroi se forcat ruse kanë kryer sulme sistematike ndaj popullatës civile ukrainase dhe vazhdoi të përshkruajë mizoritë e luftës në shtetin ukrainas, duke përfshirë në Bucha dhe bombardimin e një teatri në Mariupol.
“Ne kemi shqyrtuar provat. Ne i dimë standardet ligjore. Dhe nuk ka dyshim se këto janë krime kundër njerëzimit. SHBA-ja ka thënë në mënyrë të qartë se Rusia ka kryer krime kundër njerëzimit”, tha 58-vjeçarja.
Harris ka pohuar se qeveria amerikane do të vazhdojë të mbështesë hetimet ndërkombëtare për veprimet ruse në shtetin ukrainas, raporton bbc.
“Unë u them të gjithë atyre që kanë kryer këto krime dhe eprorëve të tyre që janë bashkëpunëtorë në këto krime, do të mbaheni përgjegjës”, pohoi zëvendësja e Joe Bidenit.
Zëvendëspresidentja amerikane kishte edhe një mesazh për liderin rus, Vladimir Putin.
“Nëse Putin mendon se të mbetemi anash, ai po gabon rëndë. Koha nuk është në anën e tij”, pohoi ajo.
Harris e përfundoi fjalimin duke rikonfirmuar angazhimin dhe përkushtimin e SHBA-së ndaj Kievit. /Telegrafi/